Flavio, është një djalë i vogël 5 vjeçar, nga fshati Kuqan, Elbasan, ku janë dominuese varfëria dhe papunësia. Për Flavion deri para një viti ishte e pamundur regjistrimi në kopësht dhe bërja realitet e ëndrrës së tij për të zënë miq të rinj dhe për të mësuar gjëra të reja. Flavio jeton me prindërit dhe dy vëllezërit e tij më të mëdhenj. Prindërit e tij janë të papunë dhe e kanë të vështirë të sigurojnë nevojat bazë të jetesës. Ata i sigurojnë ushqimet bazë më së shumti nga një tokë e vogël që disponojnë dhe nga ato pak bagëti, të cilat nuk janë të mjaftueshme për jetesën e tyre. Për shkak të varfërisë, Flavio e kishte të pamundur të frekuentonte kopshtin dhe i kalonte ditët i vetmuar dhe i izoluar në shtëpi ku i mungonin lodrat, shokët dhe lojrat fëminore dhe ku ishte izoluar në vetvete dhe nuk qeshte më si çdo fëmijë i moshës së tij…
Por kjo situatë vetmie mori fund për Flavion kur ai iu bashkua projektit mbi Arsimin Gjithëpërfshirës të financuar nga Save the Children në partneritet me IPSED dhe IZHA. Stafi i projektit, i bindi prindërit e Flavios për të regjistruar djalin e tyre në kopësht, ku ai tashmë i është bashkuar atmosferës miqësore dhe të favorshme të krijuar nga edukatorët e trajnuar në kuadrin e projektit, lodrat dhe materialet didaktike për fëmijët si dhe punës së komunitetit me familjet për forcimin e lidhjes midis kopshtit dhe komunitetit.
Projekti për një Arsim Cilësor dhe Gjithëpërfshirës përmes punës në komunitet të realizuar nga IPSED, mbështet ndër të tjera qasjen në edukimin e hershëm për fëmijët në nevojë të moshës 3-6 vjeç. Kjo ndihmon për të hequr barrierat, nxit të mësuarit e hershëm dhe zhvillimin tek fëmijët për të arritur potencialin e tyre të plotë.